Rreth ProSEED

Sipërmarrja dhe bizneset inovative janë çelësi për rritjen e konkurrencës në ekonominë globale sot. Ata janë prodhuesit më të fuqishëm të punësimit dhe të të ardhurave. Gjithsesi, të nisësh dhe të zgjerosh me sukses një sipërmarrje kërkon kompetenca sipërmarrëse dhe aftësi biznesi. Sipërmarrësit e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) shpesh përballen me sfida nga kërkesat për marrjen e financimit ose ekspertizës dhe kjo mund t’i pengojë ata që të fillojnë, inovojnë ose të rrisin një biznes.

Programi i bashkëpunimit dypalësh të zhvillimit “Zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe rajonal, promovimi i punësimit, edukimit dhe trajnimit profesional në Shqipëri” (ProSEED) financohet nga Ministria Gjermane për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik dhe zbatohet nga GIZ. Projekti mbështet Ministrinë Shqiptare të Financave dhe Ekonomisë (MFE), Zyrën e Kryeministrit (ZKM) dhe institucionet e tjera përkatëse, siç është Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Një element kyç i projektit është të kontribuojë në Strategjinë Shqiptare të Zhvillimit të Biznesit dhe të Investimeve 2014-2020 dhe në shtyllën e tij të dytë për Rritjen SMART: Rritja e Kualifikimit të Fuqisë Punëtore dhe masat e parashikuara për “zhvillimin e programeve të trajnimit dhe moduleve përkatëse për sipërmarrjen”.

Me aktivitetet e tij në lidhje me zhvillimin e sektorit privat, programi ProSEED fokusohet në zhvillimin e sipërmarrjes dhe inovacionit. Objektivi është rritja e aftësive sipërmarrëse midis pronarëve të NVM-ve të reja ose ekzistuese, të cilët dëshirojnë të zgjerojnë biznesin e tyre, në mënyrë që të rrisin konkurrencën e tyre potenciale në tregun vendas dhe global. Grupi i synuar për këtë projekt janë femra dhe meshkuj që janë në fazat e hershme të aktivitetit të tyre sipërmarrës (janë duke e krijuar biznesin e tyre ose e kanë tashmë një biznes brenda 3 viteve të fundit) dhe planifikojnë të inovojnë dhe investojnë në zgjerimin e biznesit të tyre. Konkursi i Planeve të Biznesit IDEA – i zbatuar në bashkëpunim të ngushtë me AIDA-n dhe sektorin privat – synon të ngrejë gjithashtu një Rrjet të Mentorëve dhe Engjëjve të Biznesit.

Rreth Sfidës IDEA

Sfida IDEA u ofron një mundësi unike 1000 nismave të bizneseve inovative për të rritur kompetencat e tyre sipërmarrëse dhe aftësitë për biznes, t’i ndihmojë të zhvillojnë një numër karakteristikash të domosdoshme për gjenerimin e ideve dhe në përfundim një plan biznesi bindës. Sfida IDEA kombinon trajnim për zhvillim biznesi, këshillim dhe mentorim. Metodologjia CEFE do të përdoret për të përmirësuar shërbimet e zhvillimit të biznesit në Shqipëri. CEFE është një metodologji trajnimi me pjesëmarrje shumë aktive dhe e orientuar drejt veprimeve, e përdorur në më shumë se 70 vende në mbarë botën. Ajo përfshin përvojë teorike dhe praktike për të mbështetur zhvillimin e ideve dhe planeve të qëndrueshme të biznesit.

Me kombinimin e Trajnimeve për Zhvillim Biznesi, bashkë me këshillim dhe mentorim, “Sfida IDEA” është dizenjuar si një konkurs në katër faza dhe në çdo fazë identifikohen pjesëmarrësit më të suksesshëm.

Gjatë viteve 2018,2019, Sfida IDEA ka pasur 2000 aplikantë nga e gjithë Shqipëria – 968 morën pjesë në modulin e pare në më shumë se 8 rajone – 366 përfunduan modulin e dytë – 271 plane biznesi të përfunduara.

94 plane biznese jane mbështetur nga skema e granteve IDEA, menaxhuar nga Ministria e Financave dhe e Ekonomisë.

Gjatë vitit 2019, 40 të përzgjedhurit e Sfida IDEA, prezantuan idetë e tyre të biznesit para një jurie profesionale të pavarur, me përfaqësues nga institucione private, publike dhe financiare, dhe programi E DIELL në Top Channel i bëri të njohur në të gjithë Shqipërinë.

Çdokush që merr pjesë në trajnimet IDEA, pajiset me certifikatën e Konkursit të Planeve të Biznesit IDEA dhe ka qasje të privilegjuar në skemën e Granteve IDEA.

Komentet nga pjesëmarrësit janë shumë pozitive dhe ata shprehen se janë të lumtur për kuadrin e të gjitha aktiviteteve në secilën fazë.

Çfarë planifikohet për vitin 2020?

Sfida IDEA e ka hapur fazën e aplikimit deri më 31 Janar 2020. Moduli i parë i trajnimit do të zhvillohet paralelisht në 6 rajone në të gjithë Shqipërinë me 400 pjesëmarrës, duke mbuluar tema të tilla si aftësitë dhe karakteristikat sipërmarrëse, krijimi dhe përzgjedhja e ideve, angazhimi i punës në ekip, etj. Trajnimi për kompetenca të avancuara biznesi do të vazhdojë me 2 module për Planin e Biznesit dhe Planin Financiar në 6 rajone, me 180 pjesëmarrës të përzgjedhur. Temat e trajtuara do të përfshijnë: planifikimin e biznesit, Lean Canvas, treguesit kryesorë dhe aktivitetet bazë, kuptimi i mirë i tregut dhe elementëve të rëndësishëm, si të planifikoni me buxhet dhe të menaxhoni financat, dhe inovacioni.

Sipërmarrësve të rinj do t’u ofrohet këshillim individual për të përpunuar planin e tyre të biznesit, si dhe do të ftohen në kampet e këshillimit gjatë fundjavave ku dokusi do jetë sipas sektoreve. Me certifikatën e trajnimit IDEA dhe një plan biznesi të punuar plotësisht, ata janë gati të aplikojnë për IDEA Grant dhe burime të tjera financiare.

40 pjesëmarrësit më të mirë të përzgjedhur do të përfitojnë nga përvoja dhe dituria e mentorëve. Biznesmenët e suksesshëm shqiptarë dhe të huaj do të jenë në dispozicion në fundjavat “Takim me Mentorin“, takim ballë për ballë dhe nëpërmjet telefonit për të mbështetur përpunimin e planit të biznesit.

16 idetë më të mira të biznesit të përzgjedhura si finalistë do të marrin pjesë në seminarin përgatitor për të rritur aftësitë e tyre të prezantimit. Finalistët do të prezantojnë para anëtarëve të jurisë dhe partnerëve të tjerë të IDEA-s për t’i bindur ata për IDEA-n e tyre të biznesit dhe Planin e Biznesit. 5 Fituesit e Sfida IDEA-s do të fitojnë automatikisht IDEA Grant.

Për më tepër mbi projektin IDEA dhe aktivitetet e saj, jeni të ftuar të shikoni videot më poshtë dhe të shikoni median tonë sociale.

Video